Lajme

Sistemi zgjedhor ose vjedhja e ligjëruar e votës

Shkruan Kastriot Çipi:

Në 21 prill 2008, në një seancë të vetme, që pasoi një proces jotransparent konsultimesh bipartizane, deputetët e PS dhe PD ndryshuan Kushtetutën e vendit. LSI dhe PDK e Ndokës ishin të vetme parti parlamentare që e kundërshtuan këtë akt, madje me grevë urie. Edhe ndërkombëtarët heshtën. Ndër të tjera, këto ndryshime në Kushtetutë përfshinë ndryshimin e sistemit zgjedhor nga i përzier (maxhoritar me 100 zona plus 40 mandate me proporcional kombëtar) në proporcional rajonal. Nga Kushtetuta e 1998-s u hoq paragrafi 2, i nenit 64:

Numri i përgjithshëm i deputetëve të çdo partie dhe/ose koalicioni partish përcaktohet në raport sa më të afërt me votat e vlefshme të marra prej tyre në të gjithë vendin në raundin e parë të zgjedhjeve.”

Tingëllon paradoksale, sepse sistemi proporcional (shqip përpjesëtimor) është shpikur pikërisht për të respektuar parimin e sipërcituar. Por PD e PS ishin të vetëdijshme se duke zgjedhur variantin rajonal të sistemit proporcional, e kishin shkelur hapur këtë parim.

Ndarja e territorit në 12 zona u shpik vetëm e vetëm për të rritur pragun e secilës zonë, për të penalizuar kështu partitë e vogla. Në Qarkun e Kukësit ky prag mund të kalojë edhe 25%, për shkak nga ajo zonë dalin vetëm 3 deputetë. Jo vetëm kaq, por me Kod Zgjedhor, që sërish e miratojnë dy partitë e mëdha, si metodë e përllogaritjes së mandateve u zgjodh metoda d’Hondt, e njohur si metoda që favorizon partitë e mëdha, përkundër metodave të tjera si Sainte-Laguë apo Hare/Niemeyer, që japin një rezultat më të drejtë, pra më afër numrit natyror që del nga pjesëtimi i numrit të votave që ka fituar secila parti me numrin e votave, që duhen për të fituar një mandat.

Për të kuptuar se si deformohet vota nga ndarja në 12 zona dhe zbatimi i metodës d’Hondt, mjafton të shohim tabelat e mëposhtme, ku është marrë për bazë vota popullore për secilën parti, njësoj si do të veprohej në rastin e proporcionalit kombëtar dhe është përllogaritur ndarja e mandateve sipas secilës prej tri metodave më të njohura.

 

2009: PD e PS përfitojnë 20 mandate tepër

Në zgjedhjet e vitit 2009 morën pjesë katër koalicione partish, të cilat fituan një total prej 1.513.565 votash. Kjo do të thotë se për çdo mandat duheshin 10.811 vota. Në rreshtin e tretë të tabelës paraqitet rezultati i pjesëtimit të votave të secilës parti me kuotën 10.811. Siç shihet nga tabela, dy partitë e mëdha kanë përfituar jo vetëm nga efekti i ndarjes rajonale, por edhe nga metoda d’Hondt.

Zgjedhjet 2009: Ndarja e mandateve sipas koalicioneve

KoalicioniPDLZHKLSIPS
Vota7127452766584407688748
Pjesëtimi65,932,567,8163,71
Sainte-Lague663863
Hare/Niemeyer662864
d’Hondt672764
Rezultati zyrtar700466

 

Por e keqja nuk mbaroi me kaq. Pasi luftuan së bashku kundër koalicioneve të LSI dhe LZHK, PD e PS luftuan edhe kundër aleatëve të tyre. Tabelat e mëposhtme tregojnë se si do të kishte qenë ndarja e mandateve brenda koalicioneve nëse do të ishte votuar me proporcional kombëtar, bazuar mbi të njëjtat metoda llogaritjeje.

Ndarja e mandateve në koalicionin e PS “Bashkimi për Ndryshim”

PartiaPSPSDPBDNJG99PDS
Vota62058626700180781298910395
Pjesëtimi57,402,471,671,200,96
Sainte-Lague572211
Hare/Niemeyer572211
d’Hondt592110
Rezultati zyrtar650100

Siç shihet, aleatët e PS kanë marrë vetëm 1 nga 6 mandate që duhej të merrnin, ndërsa PS 8 mandate tepër.

Ndarja e mandateve në koalicionin e PD “Aleanca e Ndryshimit”

PartiaPDPRPDIPAAPLL
Vota61046331990144771329610711
Pjesëtimi56,472,961,341,230,99
Sainte-Lague603111
Hare/Niemeyer593211
d’Hondt603111
Rezultati zyrtar681100

Në këtë rast, PD përfiton plot tre mandate nga partitë e tjera të koalicionit, që nuk përfshihen në këtë tabelë, përveç atyre që përfiton nga sistemi rajonal dhe metoda d’Hondt ose 9 në total.  Edhe brenda dy koalicioneve të tjera do të kishte pluralizëm, nëse do të zbatoheshin të njëjtat rregulla: LSI 7 dhe PSV 1, LZHK 2 dhe PDK 1.

2013: PD e PS përfitojnë 9 mandate tepër

Në zgjedhjet e vitit 2013 garuan vetëm dy koalicione dhe disa parti e kandidatë të pavarur. Këta të fundit, për të kuptuar efektin e sistemit rajonal dhe metodës d’Hondt, po i konsiderojmë si një koalicion të tretë. Totali votave të vlefshme ishte 1.724779. Kuota për çdo mandat ishte 12.320. Në këtë rast rezultati do të kishte qenë siç tregohet në tabelën e mëposhtme:

KoalicioniPS/LSIPDTë tjerë
Vota99390468067750198
Pjesëtimi80,6755,254,07
Sainte-Lague81554
Hare/Niemeyer81554
d’Hondt81554
Rezultati zyrtar83570

Partitë dhe kandidatët e pavarur, duke mos qenë të mbledhur në një koalicion, por edhe për shkak të ndarjes rajonale, humbën në total katër mandate: FRD 3 dhe AKZ 1. Ndërsa efekti i penalizimit të partive të vogla nga partitë e mëdha brenda koalicioneve shihet në tabelat e mëposhtme.

Koalicioni PS/LSI

PartiaAPPBDNJPSDPDSPKDLSIPS
Vota89271477210220118917993180470713407
Sainte-Lague111111561
Hare-Niemeyer111111561
d’Hondt010101663
Rezultati zyrtar010011665

Koalicioni PD

PartiaPDPRLZHKPDIUPLLPDK
Vota52837352168542944957608913288
Sainte-Lague4540411
Hare/Niemeyer4441411
d’Hondt4740301
Rezultati zyrtar5030400

2017: PS dhe PD përfitojnë 12.

Zgjedhjet e vitit 2017 ishin më anormalet e zhvilluara deri më sot, sepse nuk u regjistrua asnjë koalicion. Zgjedhësit ishin më të dekurajuar se kurrë të votonin partitë e vogla dhe rezultati e konfirmoi këtë. Totali i votave të vlefshme ishte 1.613.975, ndërsa kuota 11.528. Në tabelën e mëposhtme janë paraqitur vetëm rezultatet e partive që do të kishin fituar qoftë edhe një mandat, me proporcional kombëtar, sipas ndonjërës prej metodave të përllogaritjes.

PartiaLSIPSPDPSDPDIULibraTë tjerë
Vota22590176475045641314993760691980656043
Pjesëtimi19,5966,3439,591,306,601,724,86
Sainte-Lague2066391725
Hare/Niemeyer2066391725
d’Hondt2068401614
Rezultati zyrtar1974431300

Kështu, me 8 mandate të vjedhura me ligj, PS fitoi shumicën absolute dhe, për herë të parë qysh prej vitit 1991, kemi një qeveri njëpartiake, të votuar nga 25,73% e shqiptarëve! Në të trija zgjedhjet e zhvilluara me sistemin proporcional rajonal dhe me metodën d’Hondt, një gjë është konstante: dy partitë e mëdha kanë përfituar rregullisht nga 4 deri në 12 mandate tepër, ose nga 9 deri në 20 mandate tepër të dyja bashkë. Këto mandate u janë mohuar me ligj partive të vogla, përfshi edhe LSI-në dhe kjo ka sjellë si pasojë dekurajimin e zgjedhësve të këtyre partie, duke u kthyer në kërcënim akut për pluralizmin dhe demokracinë.

Sistemi zgjedhor duhet ndryshuar urgjent. Minimalisht, duhet të kemi një sistem proporcional kombëtar, pa asnjë prag për partitë, koalicionet apo kandidatët e pavarur dhe metoda e përllogaritjes së mandateve duhet të zgjidhet midis Sante-Laguë ose Hare/Niemeyer.

Ndërsa për të rikthyer llogaridhënien e deputetëve ndaj zgjedhësve të tyre, ka vetëm një alternativë: ose sistemi proporcional kombëtar me lista të hapura, ose sistemi miks i barazpeshuar, me 70 zona maxhoritare plus 70 mandate të shpërndara me proporcional kombëtar me lista të hapura.

Në kushtet kur ndryshimi i sistemit zgjedhor bëhet vetëm përmes ndryshimit të nenit përkatës në Kushtetutë dhe, nga ana tjetër, Kushtetuta ndryshohet me jo më pak 84 vota, është e qartë se jemi në një ngërç të fortë, sepse duhen votat e deputetëve të PD e PS. Thënë ndryshe, ata që përfitojnë nga sistemi, duhet të heqin dorë nga ky privilegj i pamerituar. Dhe përvoja na mëson se pushtetarët heqin dorë nga privilegjet ose me revolucion, ose nga frika e një revolucioni që do t’u shkaktonte atyre një fund më të keq se sa dorëheqja.

Intelektualët, aktivistët civilë dhe politikanët e partive të vogla kanë për detyrë ta kërkojnë këtë ndryshim paqësisht, duke qenë gjithsesi të gatshëm për revolucion, nëse klasa politike aktuale nuk reflekton.

Etiketat

Artikuj të ngjashëm

Close
Close