Kulturë

Poezi “Filozofi Jete” (Bukuria)

Kur isha vashë, s’e dija cila isha,
Besomëni, pasqyrën e kurseja…
E pse një pasqyrë t’madhe s’kisha,
Por kurrë s’kisha maninë ta gjeja!

Kurrë s’ndjeva mungesë bukurie,
E pse kurrë veten time se gatita!
Këndshëm isha mes çdo shoqërie,
Dhe për dashuri, kurrë s’thërrita!

Kurrë në jetë s’kam ndjerë vetëmi,
Më t’shumtën e jetës vetëm kam qenë!
Përherë sy më sy me shokët e mi,
Shpesh dhe në shtrat me mua flenë!

Fatlumë kanë qënë shokët e mi,
Sa e sa djem e kërkonin atë fat!
Por mbi trupin tim s’kalonte njeri,
Pa kaluar n’shpirtin tim më parë!

Mes tyre jam ndjerë si Borëbardha,
Nuk ishin shtatë si xhuxhat shtatë,
Më e dashura mike më ish abetarja,
Miq të tjerë me mijëra kanë ardhë!

S’jam e dhënë pas bukurisë trupore,
E ndjeja bukurinë brenda vetes sime,
Sikur lartësohej si një pemë gjethore,
Mbi degjë mijëra zogj me cicërime!

Bukurinë trupore s’mund ta bësh zap,
Nëpër vite ajo rend bashkë me vitet,
Miqtë kurorë drite më vunë mbi ballë,
Kështu dhe shpirtit bukuria rritej!

Ka më të rrudhur se Tereza jonë?
Po më të bukur se Ajo ka në botë?
Rrudhat e saj, gonxhe shpirti zgjojnë,
Aromë dehëse me fjalën e ngrohtë!

E bukur s’mund t’jesh gjatë gjithë jetës,
Si zonjë e vërtetë kujdesem t’ndjehem,
Me thënë të drejtën, për hir t’vërtetës,
Mbrenda zonjërisë dhe femër rrëfehem!

Zyba Hysa

Loading...
Etiketat

Artikuj të ngjashëm

Close
Close