Kulturë

Një ekspozitë për Trump-in, si indinjatë për kundërvënien e orkestruar ndaj tij

Çelet ekspozita “The Donald” e piktorit Avni Delvina. Vizitorët mbushin Muzeun Historik Kombëtar, si rrallë ndonjëherë gjatë ceremonisë së hapjes. Albumi me grafika do t’i dërgohet presidentit amerikan në shenjë mirënjohje

Anila Dedaj

Ai është një artist i suksesshëm, aktiv në jetën artistike në Itali e në vende të tjera, por këtë 17 shkurt ka zgjedhur që artin e tij ta sjellë në qytetin e tij, Tiranën.  Bëhet fjalë për 46 grafika që marrin jetë në ekspozitën “The Donald”, që ka për autor piktorin Avni Delvina.  E çelur gjatë ditës së djeshme, ekspozita ka në fokus figurën e presidentit amerikan Donald Trump, i cili “e gjen” Muzeun Historik Kombëtar të akullt. Më pak mikpritës duket edhe Sheshi “Skënderbej” që merr jetë në “Tiranën e ftohtë”, i mbuluar nga një “det” me ujë. Ndryshe ndodh me njerëzit, miq e dashamirës të Delvinës, të cilët e mbushën Muzeun këtë diel, si rrallë më parë në një tjetër ekspozitë. Grafikat e artistit, për shkak edhe të gjuhës së drejtpërdrejtë, komunikojnë me lehtësi tek vizitorët, duke ngjallur tek ata kureshtje. Vepra që vijnë edhe si një ftesë për reflektim, nga autori, i cili duke qenë mjaft aktiv gjatë dekadës së fundit në rrjetet sociale, duket se ka fituar simpatinë e kryeqytetasve.  Kjo përballje përmes artit me vendin e tij, ka një rëndësi dhe impakt të veçantë për Delvinën. “Më duket sikur do  gjykohem edhe më fortë, më ashpër, pasi është ambienti  ku jam rritur dhe ata që më rrethojnë janë njerëzit e mi”, shprehet piktori entuziast, për faktin që kjo ekspozitë erdhi dhe si një mundësi për t’u takuar me ta.  “The Donald” sjell një sens kritik të disa prej ngjarjeve më të rëndësishme që rrotullohen rreth presidentit amerikan, duke ndjekur filozofinë e Orwell se: “Në kohën e gënjeshtrave universale, të thuash të vërtetën është një akt revolucionar”.  Por çfarë e ngacmoi artistin tek kjo figurë? Gjatë përditshmërisë në Itali, ku edhe jeton, ai vërente ashpërsinë e pajustifikuar të medieve, por edhe njerëzve të thjeshtë ndaj presidentit Trump. Duke vërejtur, në fjalët që komunikoheshin ekzagjerim dhe nënshtrim ndaj ideve të të tjerëve pa i filtruar,  ai vendosi të reagojë përmes artit për atë që ai e konsideron, si një  “tepricë” të panevojshme. “Krahas simpatisë personale që unë kam pasur për republikanët amerikanë, duke nisur nga Xhorxh Bush, i ati, e deri tek Trump ajo që më ngacmoi qe një kundërvënie e organizuar në momentin që presidenti Trump fitoi zgjedhjet, madje edhe më herët. Ky orkestrim i organizuar deri në neveritje, natyrshëm e bën njeriun të indinjohet.  Një indinjatë që mua si artist më nxiti të krijoj. Grafikat fillimisht i kam hedhur në rrjetet sociale, mendova të bëj një album, por miqtë më bindën që të hapja këtë ekspozitë”.  Një ekspozitë që kundrejt sulmeve të medies e sjell Trumpin, si “Një kundër të gjithëve”, por ai si një Rambo i kohëve moderne ka në dorë një tank të fuqishëm, që është financa! Indinjata e Delvinës vjen edhe ndaj reagimeve “të fryra” që patën disa prej artistëve të Hollywoodit, siç qe Robert de Niro, i cili premtoi që nëse Trump zgjidhej president do të largohej nga Amerika. “Unë kam pasur shumë simpati për De Niron si aktor, ajo që më revolton është reagimi i tij me shprehje fyese, gati barbare kundrejt Trump. Sigurisht që mund të bësh vërejtje ndaj çdo figure, por nuk duhet humbur ekuilibri gjatë komunikimit. Ekzagjerimet për mua janë të papranueshme. Ashtu siç është nënshtrimi, pranimi i mendimit të tjetrit pa reflektuar”, rrëfen piktori.  Edhe pse, i larguar nga Shqipëria gati tre dekada më parë (në 2 korrik të vitit 1990, përmes Ambasadës Italiane), Delvina ka treguar sensibilizim në problemet sociale dhe politike që prekin vendin tonë. “Kam ikur nga Shqipëria, jo për një jetë më komode, por për të thyer murin e atij regjimi”.  I ardhur nga një familje me tradita historike dhe patriotike, duke nisur nga gjyshi i tij, emrin e të cilit mban (Avni Bej Delvina, delegat i Delvinës dhe Sarandës më 28 nëntor 1912), duket se nevoja për të kontribuuar për vendin e tij i rrjedh në gen. “Gjenetika është shkencë, shpresoj që edhe tek unë të jetë në masën e duhur”, shprehet ai. Ai tregon se atdhedashurinë ua ka trashëguar edhe fëmijëve të tij, të cilët flasin sot gjuhën shqipe në mënyrë perfekte. Kthehet shpesh në vendlindje dhe lidhjet me njerëzit i ruan të forta, aq sa tanimë i duket se jeton mes Shqipërisë dhe Italisë. Së fundmi, njerëzit e kanë parë të angazhohet veçanërisht në mbrojtje të Teatrit Kombëtar. “Ka qenë një kontribut i ndjerë, të protestoja kundër prishjes së asaj godine. Nëse arkitektura e vjetër rrënohet, nuk ngelet më asnjë shenjë. Një ‘zhdukje’ e organizuar e Tiranës për qëllime përfitimi. Kushdoqoftë që i bën këto gjëra duhet të jetë një krijesë e dobët, e papërgatitur. Mund të ketë impakt përgatitja formale e këtyre njerëzve,që kanë përfunduar master, apo doktoratura…, por që mesa duket kanë boshllëqe të mëdha që arrijnë të bëjnë të tilla marrëzira”. Në mbyllje të ekspozitës “The Donald” në 23 shkurt, albumi i grafikave do t’i dërgohet presidentit Trump. Ky komunikim me një president amerikan nuk ndodh për herë të parë për artistin. Në shenjë mirënjohje për kontributin e dhënë për çështjet e Shqipërisë dhe Kosovës vite më parë ai do të realizonte një grafikë në nder të Xhorxh Bush, ku figura e tij interpretohej në një bust të Romës antike. Gjesti nuk do të kalonte pa u vënë re, dhe ish- presidenti do ta falënderonte artistin shqiptar përmes një letre.

Shekulli.com.al

Loading...
Etiketat

Artikuj të ngjashëm

WP2FB Auto Publish Powered By : XYZScripts.com
Close
Close