Lajme

Kryemadhi: Nuk mund të ngelemi më peng i këtyre mashtrimeve

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi zhvilloi një takim me të rinjtë e LRI-së së Bashkisë së Selenicës. 

Kryetarja e LSI-së tha se tashmë ka ardhur koha që të mos mbetemi peng i këtyre mashtrimeve, por të gjithë shqiptarët duhet të bashkohen në protestat e mëdha të opozitës për rrëzimin e klikës së kriminalizuar.

 

Fjala e plotë e Kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi

Sot ne jemi në këtë takim me ju, me të rinjtë e LRI-së së Selenicës, për vetë faktin se tashmë situata nuk është më ajo që ka qenë, nuk jemi thjeshtë në kuadrin e fushatës elektorale për t’u përgatitur për zgjedhjet lokale, por duket më se qartë se gjërat kanë filluar të lëvizin jo për shkakun tonë, për kanë filluar të lëvizin për shkak të revoltës, për shkak të pakënaqësisë së popullit në të gjithë Shqipërinë. Ne sot do ta nisim nga Selenica, nesër do të jemi në qytete të tjera dhe kështu me radhë, por ajo ç’ka dua të theksoj dhe që është më shumë e rëndësishme, është që angazhimi i të rinjve dhe i studentëve të Universitetit të Vlorës dhe më pas e të gjithë të rinjve dhe të rejave që e suportuan protestën e studentëve , ishte një nga gjërat më të bukura që ne kemi parë përgjatë gjithë këtyre viteve tranzicioni, ishte një nga gjërat më të bukura që ne kemi parë në gjithë këtë histori dhe në gjithë këtë hartë politike të Shqipërisë. Por kjo nuk duhet të ngelet vetëm këtu, kjo duhet të vazhdojë edhe më tutje. Sepse njerëzit nuk kanë nevojë për ndryshim të fytyrave në politikë, por njerëzit kanë nevojë për ndryshim të këtij realiteti të hidhur. Sot nuk mund të thuash që Shqipëria është një vend i begatë. Shqipëria në fakt është nga Zoti një vend i begatë, por mbi të gjitha është një vend shumë i varfër, sepse vetë njerëzit janë të varfër. Qytetarët e saj në pamundësi të paguajnë çmimet e larta dhe taksat e larta, punojnë mbi 10 orë punë dhe pagesa e tyre nuk është as sa për 3-4 orë që ata punojnë.  Qytetarët duan të shkollojnë fëmijët e tyre dhe e kanë të pamundur. Qytetarët duan të marrin një shërbim shëndetësor të barabartë, por e kanë të pamundur. Qytetarët duan një drejtësi të barabartë, por e kanë të pamundur. Qytetarët duan shumë gjëra për të cilat ata i aspirojnë dhe i besojnë te shteti i tyre, por është  e pamundur, sepse i gjithë segmenti shtetëror funksionon për një grup njerëzish dhe nuk funksionon për qytetarët e saj. Mesazhi ynë si LSI, është shumë i qartë: Ne duhet ta kthejmë Shqipërinë në shtëpinë tonë. Ne duhet ta kthejmë dhe të punojmë për Shqipërinë, ashtu siç punojmë për familjet tona. Dhe kjo nuk mund të realizohet nëse të rinjtë nuk përfshihen në këtë aksion politik. E themi në aksion politik, por në vetvete është një aksion kombëtar, sepse aksioni politik ka ideologjinë politike, por tashmë ideologjia politike nuk është më thjesht ideologjia midis të majtës dhe të djathtës. Sot ideologjia jonë është ideologji kombëtare, sepse sot është në diskutim identiteti kombëtar, sot është në diskutim flamuri kombëtar, sot është në diskutim a jemi apo jo dinjitoz për të lëvizur dhe për të qenë anëtarë të BE-së. Sot Shqipëria ka një dilemë shumë të madhe në hapjen e negociatave, që është një nga gjërat më të rëndësishme.

Shumëkush nga ju mund të thotë se për çfarë më duhen mua negociatat, kur unë nuk kam të paguaj energjinë elektrike, nuk kam mundësi të paguaj ujin, nuk kam mundësi të paguaj taksat, sepse sot nëse një familje e varfër nuk ka të paguaj energjinë elektrike, menjëherë përplaset në dyert e burgut, kur në të vërtetë ata që duhet të jenë vërtet atje, janë ata që menaxhojnë dhe falin me miliona euro mungesën e pagesave të energjisë elektrike. Dëgjuam para disa ditësh se si mbi 13 punonjës të Drejtorisë së Tatimeve dhe mbi 15-16 biznesmenë janë përfshirë në një skemë mashtrimi të TVSH-së. A e dini ju kush janë kryesorët e mashtrimit të skemës së TVSH-së, të cilët janë fshirë nga lista e atyre që janë arrestuar? Janë 2-3 oligarkët kryesorë, të cilëve qeveria e Edi Ramës iu ka dhënë koncesionet më të mëdha. Emrat e tyre janë hequr nga lista dhe do të shkojnë viktimat, argatët e këtyre oligarkëve dhe asnjëri nuk merr përgjegjësi për t’ju përmendur emrat. Por sigurisht ne jemi në kuadrin e një investigimi për ti nxjerrë emrat e atyre të vërtetë dhe për ti ballafaquar. Sepse sot studentët kërkojnë vetëm 70 milionë euro që të realizohen 6 nga kërkesat e tyre, kur në një kohë skema e mashtrimit është nga 118 miliardë lekë, që i bie rreth 100 milionë dollarë të vjedhura dhe të futur në xhep me skemën e mashtrimit, që i janë shpërndarë oligarkëve, apo edhe argatëve të tyre që janë në institucionet e shtetit.

Ky është paradoksi që ndodh në Shqipëri, ku një popull i tërë punon për 10 veta dhe punon për një njeri, se këta 10 vetë çojnë paratë në xhepin e një njeriu. Megjithatë unë nuk mendoj që ne këtu do të vazhdojmë për të demaskuar skemën e mashtrimeve se si janë premtuar 300 mijë vende pune dhe kemi 400 mijë shqiptarë të larguar. Se si i kemi premtuar shqiptarëve shëndetësi falas dhe kemi shëndetësinë më të shtrenjtë. Se si iu kemi premtuar shqiptarëve uljen e TVSH-së për energjinë elektrike dhe iu është rritur çmimi. Se si iu kemi premtuar shqiptarëve uljen e çmimit të bukës, orizit, të vajit dhe në fakt iu është rritur çmimi i ushqimeve të shportës. Pra ka premtime pafundësisht dhe në fakt asnjëra prej tyre nuk është bërë realitet.

Prandaj ne nuk mund të ngelemi më peng i këtyre mashtrimeve, por mbi të gjitha ne duhet të rrëzojmë këtë klikë, e cila po varfëron çdo ditë e më shumë shqiptarët, ta rrëzojmë këtë klikë e cila çdo ditë dhe më shumë po bën shqiptarët më të lodhur, po i bën shqiptarët më të dobët, po i bën shqiptarët më me pa besim në vetvete. Prandaj edhe vendimi i opozitës së bashkuar është shumë i qartë, për të ecur përpara dhe për të sqaruar çdo qytetar shqiptar dhe për të qenë në protestë në ditët e ardhshme përpara kësaj klike dhe përpara këtij individi që ka marr peng shtetin, ka marrë peng vendin, ka marrë peng popullin shqiptar.

Nuk ka më asnjë lloj dileme sepse stabiliteti për të cilën flitet aq shumë nuk është më gjë tjetër në qoftë se e partitë politike, opozita, shoqëria civile, qytetarët do të flasin për stabilitet politik, stabiliteti politik sot nuk është më stabilitet politik, përplasje politike shqiptare, as për qytetarët, por stabiliteti politik sot është për krimin e organizuar dhe për atë grup njerëzish që kanë marrë peng Shqipërinë.

Çdo stabilitet sot, pra çdo proces, çdo ngritje kundër këtij stabiliteti kriminal do të çlirojë Shqipërinë nga kapja dhe nga varfëria, prandaj unë ju bëj thirrje që sot mos ndaloni, ku i keni miqtë, familjarët tuaj në Tiranë, në Durrës, në Vlorë, në të gjithë Shqipërinë duhet ti sensibilizojmë në mënyrë të tillë për të ecur përpara dhe për ta rrëzuar këtë klikë e cila ka marrë peng shqiptarët, nuk është çështje rotacioni, nuk është çështje politike, nuk është çështje për të hequr një kryeministër dhe për të sjellë një kryeministër tjetër.

Sot problemi më i madh është për ta shpëtuar këtë vend dhe për të ngritur atë sistem vlerash i cili është rënduar dhe për të ngritur atë sistem për të cilin shqiptarët kanë nevojë, sot je në pushtet, por nesër nuk je askushi, është sistemi ai që mbron njerëzit, është sistemi ai që mbron individin, nuk mund të kemi një sistem me dy standarde, tjetër standard për deputetët dhe politikanët, dhe një tjetër standard për qytetarët e thjeshtë apo dhe për të vobektit.

Vlerat e protestës së bashkuar e cila në të do të përfshihen me qindra dhe mijëra qytetarë, do të përfshihen faktorë, do të përfshihen individë të cilët e ndjejnë veten të shfrytëzuar, të vjedhur, të grabitur nga kjo qeveri, do të dalin në rrugë për ta çuar përpara, për të krijuar një lloj risie në politikën shqiptare që modelet të tilla të cilat kapin peng shtetin, modele të tilla të cilat marrin peng shtetin dhe institucionet nuk mund të riciklohen më, këto modele të cilat i pamë dhe i rrëzuam para 27 vjetëve, nuk mund të ringrihen më.

Shqiptarët i thanë monopartizmit, diktaturës ik para 27 vjetësh dhe nuk i kthehen më atij sistemi, prandaj kanë luftuar për demokraci të rinjtë dhe të rejat e viteve 90, luftojnë sot për të drejtat e tyre ekonomike studentët shqiptar, por që në thelb të tyre, këto të drejta ekonomike kanë mbrapa një politike diskriminuese, një politikë grabitëse ndaj popullit, dhe sot kemi po të njëjtin realitet, kemi po të njëjtën fytyrë vetëm se me ngjyra të ndryshme, nga studentët e viteve 90 tek studentët e vitit 2019, por të cilët janë studentë të dixhitalizuar, janë studentë të cilët janë të kohëve moderne, janë studentë të kohës së kompjuterit, të zhvillimit dhe mbi të gjitha janë studentë të cilët po na sjellin një shpresë të re, dhe mbi të gjitha një sjellje të re, prandaj unë u uroj gjithë të mirat.

Sot në këtë ditë ta quajmë pushimi, por për shumicën e shqiptarëve nuk është ditë pushimi është ditë pune sepse sakrifikojnë çdo ditë për familjet e tyre. Kemi ardhur për të bashkëbiseduar dhe për ta zhvilluar më tej debatin dhe diskutimin tonë. Faleminderit

Loading...

Artikuj të ngjashëm

WP2FB Auto Publish Powered By : XYZScripts.com
Close
Close