loading...
Home * Lajme * Kundër Informim * Rrëfehet Fred Peza: Nuk shpenzoj asnjë lekë për oksigjenin

Rrëfehet Fred Peza: Nuk shpenzoj asnjë lekë për oksigjenin

I dashur Shef Edi, Endri Transparenti jam.

Fredi ka shkëlqyer sot tek Koli. Ka bërë një shpjegim brilant mbi kursimet duke na kursyer dhe neve kohën për të sqaruar atë punën e bankës.

Pjesët kryesore të intervistës po t’i nis me e-mail, sepse në këtë mënyrë dhe ti kursen kohën tënde dhe nuk ke nevojë ta shohësh gjithë emisionin në Youtube.

INTERVISTA:

Zoti Peza, si do i komentonit poshtërsitë që thuhen lart e poshtë për ju?

Koli, së pari të falenderoj që më dhe rastin të flas. Unë si Fredi kam nja dy portale ku mëngjes-drekë-darkë shpjegojmë se si Berisha dhe Basha nuk e lënë Ramën të punojë rehat. Aq keq e kanë stresuar kryeministrin sa u bënë 3 muaj që nuk hap asnjë ekspozitë. Kjo është shqetësuese për ne.

Unë s’kam dashur të reagoj tek portalet e mia meqenëse më tha Ilva Tare: ‘Ua Fërdi po të bën motra një shkrim që të tundet Peqini me gjithë Cërrikun’.

Unë e lexova me një frymë shkrimin e Ilvës dhe më bëri përshtypje fakti që gjatë leximit nuk gogësiva asnjë herë. Unë kisha ngrënë dhe gogozhare dhe gogësima do ishte krejt normale. Por fakti që nuk gogësiva tregon se shkrimi i saj qëndronte dhe ishte i bazuar mbi argumenta.

Unë si Fredi kam kuptuar që Ilva Tare nuk ka lidhje me Auron Taren dhe Ilvës ju bë qejfi kur ja thashë këtë gjë.

Fredi, si arrite t’i kursesh 1 milionë dollarë?

Ka disa faktorë Koli. E para është që unë nuk paguaj asnjë qindarkë për oksigjenin që thith. Kjo gjë më ka dhënë shumë dorë se mbushem mirë me frymë. Jam shumë i lumtur që oksigjenin e kam falas.

Një tjetër faktor është ushqimi. Bukën e pjekim vetë në shtëpi, kemi një oxhak që na kushtoi 18 mijë euro, aty e pjekim bukën Koli.
Siç e dini unë vij nga një qytet shumë besimtar si Peqini dhe ne një muaj të vitit agjërojmë. Gjatë agjërimit kursimet tona dyfishohen.

Unë nuk shpenzoj asnjë qindarkë për bileta autobuzi sepse bredh me makinë. Ky është një tjetër kursim i rëndësishëm mendoj.

Unë mor zotëri nuk bëj pushime sheikësh si gjithë njerëzit e famshëm që shkojnë në Meksikë apo  Francë. Plazhin e bëj tek pishina që kemi në shtëpi dhe kur lahem çup e çup në dush e mbyll çezmën kur fërkohem. Të njëjtën gjë bëj dhe kur laj dhëmbët, kur i fërkoj me furçë çezma rri mbyllur. Kursimi i ujit është një tjetër element që ka ndikuar shumë në kursimet e mia.

Por kursimi ndonjëherë ndikon dhe për keq, sepse shumë njerëz të keqkuptojnë.

Në ç’kuptim për keq Fredi? Mund të na japësh një shembull?

Po ja, një ditë në Kuvend hëngra një shpullë nga Qifi pikërisht nga këto keqkuptime.

Qifi më pyeti: Po ti mër mut pse se hap telefonin?

Unë i thashë që e kisha lënë silenciozo dhe ja kisha ulur ndriçimin ekranit, sepse në këtë mënyrë kursej bateri dhe për pasojë dhe energji elektrike.
Vura re që Qifi u bë dyshues dhe për ta sqaruar e ftova për drekë. I thashë që kisha në qese dy feta bukë me gjalpë dhe sheqer.

“Ajde shkojmë në Sheraton dhe hamë bukë me gjalpë dhe sheqer o Qif”, – i thashë.

Në këtë moment ndjeva një si zhvendosje të nofullës së majtë dhe kuptova që Qifi ma kishte rrasur llauuu me shpullë të thatë.
Nga tronditja më ra qesja nga dora dhe kisha merak mos ndonjë koleg aty ma shkelte qesen. Fatmirësisht një gjë e tillë nuk ndodhi dhe unë e hëngra të gjithë bukën me gjalpë dhe sheqer vetë.

A u ngope?

U ngopa që me fetën e parë, por nga inati e hëngra dhe të dytën sepse nuk doja ta çoja dëm.

Cili është shpenzimi më i madh që keni bërë në jetën tuaj?

Ka qenë një ditë kur vendosa t’i çoja duhan në burg Zani Caushit për respekt. Zani më tha që pi Marlboro malako, nga ato greket. Shkova në dyqan dhe kur më tha ai shitësi që një paketë kushtonte 8 mijë lekë, më ra vilani. Kur e mblodha disi veten e pyeta shitësin nëse i shisnin të hapura këto malakotë greke. Ai më tha që nuk e hapte gjallë në botë paketën dhe kështu unë vendosa të blija një shkrepse dhe ja nisa shkrepsen Zanit.

Dua të sqaroj se unë Zanin e njoh sepse e kam intervistuar në vitin e vështirë 1997. Kam ruajtur miqësinë me Zanin sepse ishte ndryshe nga të tjerët. Shokët e tij i shikoja që zbraznin karikatorin orë e minutë dhe harxhonin gjithë ato fishekë. Zani ishte kursimtar dhe nuk shtinte kot në ajër. Më pëlqeu kjo gjë dhe u bëmë shokë.

Fredi a ke ndonjë mesazh për klientët e tu të bankës Credins?

Dua t’i kujtoj klientëve të bankës time që mos ta mbajnë dushin në prizë gjithë kohës.

Fredi faleminderit për këtë intervistë..

Faleminderit dhe ty Koli që nuk kursehesh asnjëherë për mua.

 

*E-mail i mbërritur në redaksi nga adresa: infoo@transparenca.al

 

Burimi: hashtag.al

Komento

Leave a Reply

WP Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com