loading...
Home * Të vjetra * Një 17 vjeçare nga Cërriku zë vendin e dytë në botë me shpikjen e saj

Një 17 vjeçare nga Cërriku zë vendin e dytë në botë me shpikjen e saj

Esli Belshi është renditur e dyta në Konkursin Ndërkombëtar të Projekteve me shpikjen e “dorës robot”. Si nisi iniciativa, çfarë vlere ka shpikja, kujt ja dedikon, mesazhi për bashkëmoshatarët dhe perspektiva e shkencëtares sonë të ardhshme.

Zakonisht ndodh që, pasi ke përfunduar studimet, të merresh me shkencë dhe shpikje. Por nuk ka ndodhur kështu me një 17 vjeçare nga Cërriku. Tek ajo është zbuluar herët ngacmimi për të prodhuar diçka të dobishme për shoqërinë. Dhe gjithçka duket se ka nisur nga një histori reale, ngjarje që shpesh i kanë nxitur shkencëtarët që të shpikin gjërat e mëdha…

Ajo quhet Esli Belshi. Vjen nga një familje me vlera qytetare, të emancipuar dhe arsimuar. I ati është mjek i njohur (Kastriot Belshi) dhe nëna e saj mësuese dhe drejtuese në arsim,(Mimoza Belshi ).

Esli ka shkëlqyer në mësime në 9 vjeçare e tani vazhdon studimet në kolegjin “Mehmet Akif” ndër më të mirët në Shqipëri.

Ndërthurja e teorisë me praktikën, nxitja e prirjeve në procesin mësimor duket se ka dhënë frytet e veta dhe tani kur ajo është ende 17 vjeçe, emri i saj regjistrohet ndër shpikëset më të famshme në botë.

Nxënësja nga Cërriku e paraqiti projektin e saj Konkursin Ndërkombëtar të Projekteve I-SWEEEP “Konkursi Shkencor Ndërkombëtar në Fushën e Energjisë, Inxhinierisë dhe Mjedisit”, i cili u zhvillua në Qendrën “Gorge Brown” të shtetit Houston, në Texas/SHBA.

Në këtë konkurs morën pjesë 564 nxënës dhe 300 mësues , ku u prezantuan 385 projektet më të mira nga 62 vende të ndryshme të botës.

Shqipëria u përfaqësua nga Esli Belshi nxënëse e Kolegjit Turk “Mehmet Akif” në degën inxhinieri, me projektin “Një dorë robot”.

Aktiviteti u përmbyll me një ceremoni madhështore, ku u bënë vlerësimet për projektet më të mira dhe u ndanë medalje dhe çmime të ndryshme. Projekti i prezantuar nga Esli Belshi u vlerësua nga juria me medalje argjendi, ndërsa “North Amerikan University” i ofroj asaj një bursë studimi.

Projekti bazohet në risitë në zhvillimin e elektronikës dhe qëllimi ka qenë prezantimi i një projekti të thjeshtë, që nëpërmjet një mikroçipi, dora e dëmtuar të komandohet me anë të zërit.

Demonstrimi fillestar ka qenë hapja dhe mbyllja e dorës me anë të komandës zanore. Më pas do të kalohet në komandimin e secilit gisht veçmas.

Esli shprehet se këtë çmim ja dedikon gjyshit të saj i cili e ka shtyrë në punën kërkimore.

Ajo tregon emocionet e veçanta gjatë marrjes së çmimit dhe thotë se në momentet kur ka ngritur flamurin e ka harruar veten, por ka menduar për gjithë Shqipërinë.

Të ardhmen e sheh në punën kërkimore në studime që pritet ti vazhdojë në universitetet më të njohura të botës të cilët nuk kanë munguar ti dërgojnë ftesa që tani.

Esli përbën një shembull frymëzimi. Njëkohësisht ajo është vazhduese e gjeneratës së shkencëtarëve shqiptarë që tashmë kanë bërë emër në Amerikë dhe në mbarë rruzullin.

Intervista: Të ndihmosh njerëzit qëndron përtej të qenit dikush

Të befason e të mrekullon njëkohësisht logjika e kësaj 17 vjeçareje. Shprehja e saj “ Të ndihmosh njerëzit qëndron përtej të qenit dikush”, zotëron një fuqi shprehëse që tejkalon shpikjen e saj. Është pikërisht kjo që në fakt i mungon botës sonë që rend e stresuar vetëm brenda interesave të ngushta të saj.

Si ju lindi ideja për këtë projekt?

Idenë e mora rastësisht. Ishte një rast aktual i dikujt që kishte probleme me gjymtyrët e sipërme. Më ngacmoi ideja që ta bëj edhe këtë kategori që të ndjehet si të tjerët. Dhe ju përvesha punës.

Si u përzgjodhët

Ishte një konkurs që mund të aplikoje edhe me anë të internetit. Por Shqipëria u përfaqësua me fituesit e ASEFF-it që është një konkus kombëtar për projekte shkencore. Unë u përzgjodha bashkë me dy djem nga Shkodra.

Çfarë vlerësoi juria tek projekti juaj?

U pëlqye si ide dhe si një projekt i bukur. U demonstrua konkretisht me komandë zanore para jurisë. Ata mbetën shumë të kënaqur. Mendoj se çelsi i suksesit ishte të bazoheshe në zbulime të thjeshta për gjëra të vështira. Dhe mendoj se këtë vlerësuan më shumë.

Si mendon do gjejë aplikime?

Projekti im ishte prototip dhe sigurisht që ka nevojë që të përmirësohet. Por aplikimi mendoj se i përket së ardhmes jo shumë të afërt. Projekti bazohet në thjeshtësinë që të mos shkaktojë as dhimbje dhe as lodhje dhe të jetë i aplikueshëm edhe nga njerëz që nuk kanë njohuri elektronike dhe që të jetë i komandueshëm. Gjithashtu edhe më i lirë për tu prodhuar dhe për tu blerë në treg. Sipas kësaj pajisje, njerëzit nuk kanë nevojë që të kenë kontakte muskulore por të komandohet me zë.

Ku e gjen më shumë veten në degët e shkencës?

Mund të the se e gjej veten në pjesën e elektronikës. Përderisa isha e suksesshme këtu mendoj të qëndroj në këtë fushë. Por jam mirë edhe në degë të tjera.

Ju bënë oferta pas këtij çmimi?

Po. Pas çmimit më bëri menjëherë ftesë një universitet në Amerikë. Por nuk do nxitohem. Do të përzgjedh.

Do vazhdosh studimet në këtë fushë? Do perfeksionohesh në këtë disiplinë? Do perfeksionohesh

Po do vazhdoj.

Cilat janë synimet e tua në jetë?

Mjafton të kem një punë. Suksesi për mua nuk është edhe aq i rëndësishëm.

Do kemi një shkencëtare në të ardhmen?

Do ja lë kohës

A keni një model nga ku udhëhiqeni në jetë?

Nga njerëz të famshëm jo brenda familjes po. Modeli për mua është gjyshi im Lulo Hoxha. Ai madje më shtyu që të ndërmerrja projektin. Edhe gjyshi tjetër. Prindërit më kanë qëndruar pranë dhe kanë ndihmuar që të realizoj synimet e mia.

Si u ndjeve kur fituat çmimin?

Ishte e papërshkrueshme. Një krenari më vete. Në atë moment harrova që isha individualisht. Ishte diçka shumë e madhe.

Ke ndonjë mesazh për bashkëmoshatarët e tu?

Të ndihmosh njerëzit qëndron përtej të qenit dikush.

Komento

Leave a Reply

WP Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com