loading...
Home * Lajme * Koalicioni, LSI sulmon Ramën, i kujton marrëveshjen dhe Policinë blu

Koalicioni, LSI sulmon Ramën, i kujton marrëveshjen dhe Policinë blu

LSI-ja ka sulmuar ashpër sot Kryeministrin Edi Rama drejtpëdrejt dhe qeverisjen e Rilindjes për akuzat ndaj saj si “shushunjë”,  duke i kujtuar se ka respektuar në 4 vjet marrëveshjen e tyre të koalicionit të nënshkruar në Shkodër dhe i ka përmendur me tendencë, Policinë e inkriminuar, policët “blu” bashkëpunëtorë në kanabizimin e vendit si dhe korrupsionin në Tatime e Dogana, sektorë që PS-ja i ka drejtuar e vetme, pa LSI-në.

Nënkryetari i LSI-së, Luan Rama, deklaroi sot gjatë një konference shtypi se “meqenëse ka disa ditë që Kryetari i Rilindjes po stigmatizon marrëveshjen e bashkëqeverisjes që prej vitit 2012 e deri sot, jam i detyruar të sqaroj se ajo që ai thotë është mashtrim, falsifikim, përpjekje për të mashtruar opinionin si përgjegjës i qeverisë.

Marrëveshja e nënshkruar 4 vjet më parë, marrëveshja e Shkodrës, është dokumenti mbi të cilin u krijua dhe funksionoi dhe vazhdon të funksionojë marrëveshja. Nuk ka qënë marrëveshje as për tepsi, as për timon, as për konçension, as për kanabizimin e vendit. Ka qënë marrëveshje e orientuar për t’i dhënë vendit qeverisje të stabilizuar, të mirë, për të ndikuar në rritjen e cilësisë së jetës stë qytetarëve.

Më lejoni të citoj disa pika të kësaj marrëveshjeje për të dalë tek hipokrizia e asaj që thotë ai,” tha Rama duke lexuar nenet e marrëveshjes. Në përfundim ai theksoi se “kemi rënë dakord për konsensus në bashkëqeverisje, emërime, depolitizimit të administratës. Ku e ka penguar LSI-ja, kryetarin e Rilindjes, që ta përmbushë këtë detyrim?! Çfarë reforme ka marrë ai që ta pengojë LSI-ja?! Ku ka ndikuar LSI-ja që të krijojë kosto në qeverisjen e Rilindjes?!

Ne kemi qënë protagonistët kryesorë të Reformës në Drejtësi. Ne nuk lejuam tentativën e tij për të kapur sistemin përmes një metode të deformuar. Në çfarë reforme tjetër e ka penguar LSI-ja, kryetarin e Rilindjes, që dërdëllit shesh më shesh për ‘shushunjat”?!

Në cilin sektor të Hipotekave janë “shushunjat”, që thotë ai?! Se në këtë sistem të gjithë janë të PS-së dhe pse u kujtua në këtë mandat për “shushunjat”?! Cila pjesë e tepsisë qenka e helmuar nga LSI-ja dhe pjesa e drejtuar nga tij, e ëmbël?!

Natyrisht që ka edhe njerëz të korruptuar apo nga ata që meritojnë të ndëshkohen ligjërisht, por ka dhe disa policë gri  dhe blu që janë ndëshkuar ligjërisht si bashkëpunëtorë në kanabizimin e vendit, në krijimin e një harte të tërë kultivimi të kanabisit në të gjithë Shqipërinë dhe për këtë nuk mbaka përgjegjësi, kryetari i Rilindjes?!

Atje ku drejton ai nuk paska shushunja, por gjetiu. Po në sistemin tatimor dhe doganor ku doganierët e manipuluar hapin dhe mbyllin traun? Sistemi është e vërtetë që ka probleme, është i korruptuar sepse në krye të tij ka qënë kryetari i Rilindjes; është i trafikuar dhe kanabizuar sepse në krye të tij ka qënë kryetari i Rilindjes; ka qënë i inkriminuar sepse ka qënë në krye të tij kryetari i Rilindjes.

Nëse do, le të ulemi përballë për përgjegjësitë e tij dhe të LSI. Ne nuk i ikim përgjegjësisë dhe mbajmë përgjegjësi edhe për atë që nuk ka funksionuar, si në Hipoteka, por askush nga LSI nuk e ka ndaluar Kryeministrin të krijojë një administratë sipas standarteve europiane. Ndaj në 25 qershor duhet ndarë Shqipëria e kanabizuar, Shqipëria e trafikuar!”

Komento
WP Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com