loading...
Home * Të vjetra * Bajerni dhe Hysaj, ja rrëfimi plotë i babait

Bajerni dhe Hysaj, ja rrëfimi plotë i babait

Mbyllja e karrierës së kapitenit Filip Lahm te Bajerni është programuar nga vetë ai për në vitin 2018, kur i përfundon kontrata e fundit me klubin bavarez. Teksa 32-vjeçari parashikon rënien e energjive, në Mynih po punohet për gjetjen e pasuesit të tij. Spekulime ka plot, por lajmi më intensiv në merkato është ai për mbrojtësin e kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj.

Gazetari ynë Markoled Pashuku zbuloi ekskluzivisht interesin e Bajernit për shkodranin që më 21 shkurt 2016. Dhe lajmet vazhduan me mediat gjermane, teksa dy javë më parë gazeta napoletane “Il Mattino” zbuloi se Bajerni ka ofruar 18 milionë euro për Hysajn, por klubi italian ka refuzuar. Për 22-vjeçarin është spekuluar se e kërkojnë edhe Barcelona, Atletiko Madridi dhe Çelsi. Për të kuptuar më shumë nga kjo histori, gazetari Pashuku ka zhvilluar një intervistë me babain e lojtarit, Gëzim Hysaj, i cili kurrsesi nuk pranon t’i japë një këshillë të birit, por thekson se nëse Elseidi transferohet te kampionët e Gjermanisë, ai nuk shkon për të qenë hija e Lahmit. Fragmente të rrëfimit të tij janë publikuar dje ekskluzivisht për gazetën e Mynihut “TZ”, e cila ka raportuar më 23 shkurt 2016 mbi interesimin e Bajernit për Hysajn.

– Djali juaj po zhvillon një sezon të shkëlqyer te Napoli këtë sezon. Si ndiheni kur dëgjoni lajmet që e lidhin atë me klube si Bajerni apo Barcelona?

– Normalisht, ne si prindër jemi shumë të kënaqur me ecurinë e Elseidit. Edhe ai është i kënaqur te Napoli. E dimë se për të ka interes nga Gjermania, Spanja dhe Anglia. Është kënaqësi e madhe kur dëgjon që për fëmijën tënd interesohen klube të rëndësishme të Evropës.

– Siç keni zbuluar prej kohësh në media, karriera e Elseidit nisi pas udhëtimit tuaj të frikshëm me gomone për në Itali. A keni besuar atëherë se sot, pas kaq shumë vitesh, Elseidi do të luante në këto nivele?

– Që kur ne kaluam Adriatikun, unë kam besuar gjithnjë te karakteri dhe ecuria e Elseidit. Ai është rritur vetëm duke punuar dhe unë nuk kam bërë asgjë më tepër se prindërit e tjerë. Madje, falënderoj gjithë mbështetësit e tij.

hysaj

– A është e vërtetë se për çështje burokratike ai nuk u transferua dot te Fiorentina, para se të bëhej pjesë e Akademisë së Empolit?

– Po. Fillimisht mendohej që të shkonte te Fiorentina, por për çështje dokumentesh ai kaloi tek Empoli pas tre muajsh, pasi unë e solla në Itali me dokumente familjare. Empoli ka ndikuar shumë në karrierën e Elseidit dhe falënderoj mister Sarrin për besimin e madh që i ka dhënë djalit tim, ashtu si edhe trajnerit të kombëtares, mister De Biazi.

– Merkatoja do edhe një muaj të nisë. Çfarë destinacioni do t’i sugjeronit djalit tuaj?

– Kur mëson se një klub i madh si Bajerni tregon interes, është diçka e veçantë, por ne për momentin po mendojmë për Napolin dhe për kualifikimin në Champions League.

– Dakord, por mbase ju e keni ndonjë skuadër zemre, siç ka Elseidi Interin.

– Për mua skuadra e zemrës është skuadra ku luan djali ynë dhe sot për sot është Napoli. Se ku do të shkojë ai, do ta vendosë Napoli dhe merkatoja e verës.

– A keni dijeni për ndonjë ofertë konkrete?

– Jo, nuk jam në dijeni.

– Gazeta “Il Mattino” zbulon se Bajerni ka ofruar 18 mln euro për të dhe Napoli ka refuzuar ofertën e parë. Si ju duket juve kjo shifër? I meriton Elseidi?

– Djali im është 22 vjeç dhe ka bërë dy kampionate me rezultate të mira në Serinë B dhe gjithashtu dy kampionate po me rezultate të mira edhe në Serinë A. Ai ka luajtur 17 ndeshje me kombëtaren dhe besoj se këto flasin edhe për vlerën e tij.

– Elseidi shihet si pasues i Filip Lahmit. Ju duket herët që ai të marrë “fronin” e kapitenit bavarez, duke rrezikuar të mos jetë titullar në Mynih, apo nuk i druheni asnjë sfide të mundshme?

– Dëgjoni. Edhe te Napoli, kur nisi sezoni, Elseidi nuk shkoi për titullar, por më pas ju e patë vetë se ç’ndodhi … Gjithsesi, të jesh pasues i një kampioni si Filip Lahm është një nder i madh.

– Po, e kemi parë, Hysaj po luan titullar. Dhe kjo, natyrisht, i shton presionin. Si po e përballon ai?

– Elseidi ka karakter të fortë. Turbulencat e merkatos asnjëherë nuk e kanë shqetësuar në karrierën e tij. Ai është një profesionist dhe kërkon të bëjë më të mirën e mundshme me klubin aktual.

– Mbase ai mund të çorientohet para Evropianit nga këto zëra. Të gjitha klubet e interesuara do ta ndjekin nga afër …

– Nuk ka problem. Shqipëria është pjesë e jetës sonë dhe është një krenari të luash për vendin tënd. Kjo do ta motivojë djalin tim më shumë për të bërë një paraqitje sa më dinjitoze në Francë.

Komento

Leave a Reply

WP Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com